Ky është momenti ku makina me të cilën udhëtonte Bardhok Pllanajt qëllohet me breshëri arme nga pas. Në videon ekskluzive të siguruar nga Ora News, shihet se Pllanaj ka humbur kontrollin e mjetit si pasojë e të shtënave, duke u përplasur me një biznes të lëndëve të ndërtimit.
Më pas autorët i kanë dalë në pjesën anësore duke e qëlluar sërish dhe më pas kanë ikur.
Gjithçka ka ndodhur rreth orës 21:10 të së dielës së 4 prill, ku 46-vjeçari po lëvizte me makinën e tij “Range Rover” në rrugën e Dobraçit kur një mjet tip “Volsvagen Passat” me targa italiane e ka ndjekur.
Brenda makinës së autorëve besohet se kanë qenë të paktën tre persona të cilët kanë qëlluar me breshëri arme, të cilat u gjetën të djegura bashkë me mjetin pas vrasjes.
Më shumë se 100 predha kanë prekur makinën e viktimës, ndërkohë që Pllanaj ka marrë 30 plumba në trup. Pak minuta pas ngjarjes në komisariatin e Shkodrës u raportua për një makinë e cila po digjej në zonën e pompave në Dobraç.
Gjatë kqyrjes së mjetit policia konstatoi 2 armë zjarri të cilat u dërguan në laboratorin kriminalistik për një ekspertizë të detajuar. Edhe pse në Shkodër policia lokale dhe FNSH angazhuan në kontrolle dhe krehjen e zonës pas ngjarjes, nuk ka asnjë të shoqëruar. Janë disa pista kryesore që po hetohen në lidhje me ngjarjen.