Shkruan në Facebook kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi: Kënaqësi e veçantë të prisja në Dajç ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë z. Peter Zingraf. Vizita e Ambasadorit, ishte në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta inaugurimi të bashkëpunimit për mbështetjen e komunitetit vendor në drejtim të punësimit sezonal, përmirësimit të infrastrukturës bujqësore dhe minimizimit të efektit të përmbytjeve përmes konceptit punësim për punë publike.
Kemi parë së bashku rezultatet e para të punës për këtë vit, vit në të cilin kemi punësuar 214 punëtorë në 8 njësi administrative, të cilat ndikohen më shumë nga fenomeni i përmbytjeve dhe emigrimit, dhe të cilat kanë numrin më të madh të familjeve në ndihmë ekonomike.
Janë afërsisht 200 km kanale kulluese të dyta dhe të treta që po pastrohen me punën e palodhur të këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të cilët përveç kontributit të madh që po japin për punë publike që i shërbejnë gjithë komunitetit, kanë mundësinë të përmbushin sadopak nevojat ekonomike të tyre dhe familjeve të tyre.
Çdo mbështetje në këtë zonë, ka një ndikim shumëdimensional social, ekonomik dhe mjedisor.Bashkia e Shkodrës është e gatshme për bashkëfinancim të kësaj nisme për vitet në vazhdim, me synim shtimin e numrit të përfituesve dhe arritjen e një ndikimi edhe më të madh. Bashkëpunimi për zhvillimin e komunitetit gjithmonë është një vlerë avantazhuese e pozitive e Shkodrës.
Falenderoj Ambasadën e Gjermanisë, agjensinë gjermane të zbatimit të projekteve të qeverisë gjermane GIZ Albania, përfaqësuesit dhe teknicienët e projekteve KLIMA dhe DIMAK Albania, Fondi Shqiptar i Zhvillimit/ Albanian Development Fund, Ujësjellës Kanalizime Shkodër dhe Njësinë Administrative Dajç për zbatimin në territor të kësaj nisme.