Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, së bashku me drejtues të lartë të Policisë inspektuan punimet për ndërtimin e DVP Shkodër. Nē njē prononcim për mediat ai tha:
Sot në Shkodër po inspektojmë punimet që po kryhen në Drejtorinë Vendore të Policisë së qarkut.
Shohim me kënaqësi që ecuria e punëve është pozitive dhe objekti po merr trajtë dalëngadalë. Ka marrë një fizionomi pothuajse të përafërt me atë që ne kërkojmë.
Është një investim shumë i rëndësishëm i qeverisë shqiptare, i Ministrisë, i DPPSH, për këtë Drejtori, për këtë qark. Investim, i cili bëhet në funksion të përmirësimit të parametrave të sigurisë në këtë qark.
Sigurisht që ky investim është edhe një përgjegjësi e re që vihet mbi supet e të gjithë drejtuesve të policisë në këtë qark, investim dhe përgjegjësi që duhet të shndërrohet në rezultate të reja në fushën e përmirësimit të parametrave të sigurisë në qark.
Qarku mbetet një përparësi. Niveli i sigurisë ka ardhur në përmirësim, por ende mbeten sfida të mëdha, të cilat duhen adresuar. Kam besim që drejtuesit e policisë në qarkun e Shkodrës, do ta kryejnë këtë përgjegjësi të madhe, përgjegjësi që e kanë përballë qytetarëve dhe përballë qeverisë. /Njoftim për mediat i Ministrisë së Brendshme/