Pavarësisht temperaturave shumë të larta, grupet e punës së Shoqërisë Ujësjellës- Kanalizime Qarku Shkodër janë në gatishmëri të plotë. Një defekt në linjën e transmetimit tek “Puset e zez” në kaptazhet e Krrabit, qē la me mungesë uji të pijshëm qytetin e Pukës pas çarjes së një tubacioni, është riparuar brenda një kohe të shkurtër.
Për shkak të terrenit të thyer malor, mjetet e punës u transportuan me krahë nga punonjësit, duke ecur në këmbë rreth një orë. Po ashtu, u ndërhy për riparimin e disa tubave të tjerë brenda zonës së kaptazhit.
Drejtori teknik i Shoqërisë Ujësjellës- Kanalizime Qarku Shkodër, Lazer Pemaj, përsërit thirrjen për kursimin dhe mirë perdorimin e ujit të pijshëm. Ai garanton se do të ndërhyhet në të gjitha zonat ku ka probleme me ujin e pijshëm, deri në riparimin e plotë të çdo defekti.
Furnizimi me ujë të pijshëm, garantimi i këtij sherbimi jetik sidomos në kushtet aktuale të temperaturave të larta, ku ngarkesa e rrjetit të ujësjellësave është shtuar, është prioritet i Shoqërisë Ujësjellës- Kanalizime Qarku Shkodër.