Në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se në lagjen “Fahri Ramadani”, po lëvizte një shtetas i armatosur me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë organizuar menjëherë punën dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Weapon”, kanë ushtruar kontrolle në gjithë zonën.
Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar shtetasin e dyshuar, i cili sapo ka parë shërbimet, ka hedhur armën e zjarrit që mbante me vete, pa leje, dhe ka tentuar të largohet me vrap. Pas ndjekjes intensive nga shërbimet e Policisë, është kapur dhe është vënë në pranga shtetasi B. P., 34 vjeç, banues në lagjen “Ndoc Mazi”, Shkodër, shtetas me precedent të mëparshëm penal, për veprat “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.
Për këtë rast u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë dhe municion luftarak.