Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të shtunë në Shkodër kabinetin qeveritar dhe kryebashkiakët e vendit. Takimi është zhvilluar në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”. E veçantë është pjesëmarrja edhe e kryebashkiakëve të djathtë në këtë takim.
Takimi është zhvilluar pa praninë e mediave, ndërsa sipas burimeve nga Kryeministria, në këtë takim pune diskutohet për pritshmëritë, objektivat dhe angazhimet e përbashkëta në shërbim të qytetarëve.
Në funksion të kësaj, janë organizuar 9 tryeza të hapura bashkëbisedimi me anëtarë të qeverisë, kryetarët e bashkive, drejtues të agjencive. Në fokus të diskutimeve ishin tema të ndryshme duke nisur që nga shëndetësia, arsimi, bujqësia, siguria, financat e deri tek infrastruktura, pronat dhe burimet njerëzore.
Ministri i Pushtetit Vendor Arbër Mazniku, i cili ka bashkëdrejtuar me kryeministrin Rama, ka prezantuar me propozime konkrete për të zgjidhur problematikat që jana hasur në disa bashki të vendit.
Mbledhjet e qeverisë kanë nisur të zhvillohen jashtë Tiranës prej kohësh, ndërsa takimi me kryebashkiakët këtë të shutnë në Shkodër, mund të konsiderohet si risi.