Grupet e Task- Forcë të Ujësjellës Kanalizime Shkodër vijojnë pa ndërprerje punën, me qëllim arkëtimin e detyrimeve të prapambetura por edhe respektimin e ligjit nga qytetarët.
Shtatë grupe pune janë shpërndarë në gjithë territorin e qarkut Shkodër për përcaktimin e kontratave informale dhe lidhjet e paligjshme për të bërë të mundur formalizimin e çdo abonenti familjar apo biznes dhe për furnizimin sa më të mirë me ujë të pijshëm në pesë bashkitë e këtij qarku.
Nga 22 mijë debitorë në fillim të Reformës, aktualisht ky numër është ulur në 16 mijë kjo falë edhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të shlyer pagesat e prapambetura dhe për të bashkëpunuar për formalizimin e kontratave dhe nënshkrimin e akt-marrëveshjeve.
Reforma e Ujit sipas Ujësjellës Kanalizime Shkodër është një rrugë pa kthim. Aksionet në terren do të jenë të përditshme për zbatimin sa më të saktë të saj duke falenderuar qytetarët dhe bizneset për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre.