Shkruan në Facebook deputeti i PS- së për Qarkun e Shkodrës Benet BECI: Rehabilitimi i rrugës së Komanit vazhdon të mbetet shqetësimi ynë i përbashkët. Siç jeni në dijeni, në vitin 2020 si administrator i KESH-it, pavarësisht vështirësive të krijuara nga pandemia, arritëm ta përfundonim projektin e detajuar teknik për këtë rrugë, ta miratonim atë në buxhetin e KESH-it për vitin 2021, ta përfundonim dhe procesin e prokurimit, deri pranë lidhjes së kontratës, me synim fillimin e ndërtimit të rrugës në pranverën e vitit 2021, siç edhe kisha premtuar.
Edhe pas largimit tim nga KESH-i e kam ndjekur nga afër këtë çështje duke insistuar që zbatimi të fillonte sa më shpejt. Gjatë kësaj periudhe shumë banorë me të drejtë kanë reaguar për mosfillimin e punimeve në rrugë.
Në komisionin e ekonomisë ngritëm disa pyetje për infrastrukturën e qarkut Shkodër bashkë me deputeten Znj. Koliqi. Më poshtë do të gjeni videon në të cilën Ministrja shpjegon arsyet pse u ndërpre realizimi i ketij investimi.
Fatkeqësisht, siç shpjegon dhe Ministrja në këtë video, për shkak të problemeve të shkaktuara nga kriza energjitike, jane ndaluar të gjitha investimet për këto projekte. E kam thënë shpesh që ky është një ndër projektet kryesore zhvillimore në bashkinë e Vaut të Dejës dhe me impakt në gjithe rajonin e Shkodrës sepse besoj fort se u shërben banorëve, turizmit, por edhe energjitikës.
Për më tepër, pas dekadash shfrytëzimi të kaskadës së lumit Drin për prodhimin e energjisë për të gjithë vendin, u detyrohemi banorëve të zonës investime për një lidhje normale rrugore me pjesën tjetër të vendit. Për këtë arsye, tashmë jo si administrator i KESH-it, por në cilësinë e deputetit të Qarkut Shkodër, do të bëj çmos për rifutjen e këtij investimi në prioritet e qeverisë.