Qeveria italiane dhe Trupa Kombëtare e Zjarrëfikësve e Italisë kanë dhuruar tre mjete zjarrëfikëse për bashkinë Shkodër të cilat përforcojnë kapacitetet e repartit MZSH të Shkodrës. Në ceremoninë e dhurimit mori pjesë edhe ambasadori italian në Shqipëri Fabricio Bucci dhe Matteo Carretto lejtant- kolonel i Shërbimit Zjarrëfikës Kombëtar Italian i cili tha se kjo dhuratë është edhe në shenjë mirënjohjeje ndaj shtetit shqiptar për trupën e mjekëve që dërgoi në Itali gjatë pandemisë.
Bashkia Shkodër është ajo që bëri kërkesën për tre mjetet zjarrëfikëse që sipas kryebashkiakes Voltana Ademi dhe prefektes së Qarkut Shkodër Majlinda Angoni do të shërbejnë për të gjithë qarkun në rastet e emergjencave.
Reparti MZSH i Shkodrës shpesh herë është përballur me vështirësi për shkak të mungesës së kapaciteteve në përballimin e zjarreve të mëdha ndërsa ardhja e këtyre mjeteve dhuratë përmirëson situatën.