Kryetari i Bashkisë Benet Beci, ka takuar banorët e prekur nga djegia e tregut të rrobave të përdorura në lagjen Qafëhardhi në Shkodër. Ata kanë falenderuar kryebashkiakun për gadishmërinë e treguar në ditën e zjarrit dhe kanë kërkuar ndihmën e tij, për rivënien në punë të tregut i cili u shkrumbua totalisht.
Kryebashkiaku, garantoi mbështetjen ndaj 80 tregtarëve, të cilët prej 22 vitesh punojnë aty. Ai deklaroi se fillimisht do të duhet një dakordësi me pronarin e truallit, më pas bashkia do të hartojë projektin për rivënien në punë të tregut.
Tregu i rrobave të përdorura u përfshi nga flakët pasditen e së premtes nderkohe që policia ka identifikuar si fajtor për zjarrvënien 2 të mitur. Bashkia Shkodër nga ana tjetër, ka nisur verifikimin e plotë të dëmeve dhe të banesave të prekura nga zjarri.