Si çdo vit me 9 shtator edhe sot, në Postribë u përkujtua përvjetori i Kryengritjes Antikomuniste që mban emrin e kësaj krahine të nderuar, e cila mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Vëmendja u përqendrua nëse “socialistë- komunistët përkujtuan një event antikomunist”, a duhej të ishin të pranishëm apo jo, a duhej reaguar apo jo, u bë mirë apo keq që dikush që “i kishin vrarë gjyshin komunistët”, duhej të hiqte disa kurora që nuk bënin asnjë dëm.
Kjo në fakt, është ajo që u duhet servirur qytetarëve, aty duhet drejtuar me imponim vëmendja e tyre. Në fakt, nderimi është e duhet të jetë krejt tjetër për heronjtë dhe viktimat e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës.
Në mjediset e brendshme të ndërtesës së Njësisë Administrative Postribë, është një ambjent, i cili cilësohet “muzeum”. Është një copë letër e ngjitur ne vinovil në kornizën duralumini të derës e më poshtë, një tjetër që tregon se aty ka seli edhe një shoqatë e ish- të persekutuarve.
Të futesh brenda, mbetesh pa fjalë. Shihet qartë se as pluhurat nuk janë marrë prej vitesh, ndërsa fotografitë apo ato që ekspozohen aty, nuk kanë asnjë lidhje me madhështinë e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës.
Sa “rrahemi” me fjal me njëri- tjetrin kush është më shumë demokrat e kush më pak komunist, kush duhet të vendosë kurora e kush tufa me lule, kush duhet të gënjejë e tu hedhë më bukur hi syve postribakëve, shkodranëve e shqiptarëve, më mirë do të ishte të sistemohej apo ndërtohej një muzeum në kuptimin e plotë të fjalës, në nderim të Kryengritjes Antikomuniste të Postribës.
Ata që kanë drejtuar këtë qytet e bashki para shumë viteve, tashmë kanë dalë nga vemendja e shumë mund të jenë shuar. Ashtu do të do të ndodhë edhe me të tjerë. Ndërkohë, Kryengritja Antikomuniste e Postribës do të vazhdojë të përkujtohet. Brezave që vijnë nuk do tu interesojë kush ka qenë kryetar në atë kohë apo këtë kohë. Ata do të kërkojnë informacion dhe i pari që e ofron, është një muzeum. Muzeum i vertetë, për të qenë i tillë. Nuk duhet të ndodhë gjithmonë dhe për çdo gjë që kur i tregon hënën, vëmendja të jetë tek gishti. /ShkodraWeb/