Reshjet e ditëve të fundit, kanë krijuar probleme për qarkullimin, sidomos në akset e zonave malore. Ditën e djeshme, është bllokuar kalimi në drejtim të Shoshit dhe Shalës në zonën e Dukagjinit. Gurë dhe dhera kanë rënë në shtratin e rrugës, duke pamundësuar qarkullimin e mjeteve.
Lajmi është bërë i ditur nga Bashkia e Shkodrës, përmes një publikimi në faqen zyrtare, shoqëruar edhe me fotografi. Në këtë publikim të Bashkisë Shkodër, lexohet:
“Si pasojë e motit të keq dhe reshjeve, në rrugën e Dukagjinit, në dy pjesë të saj, afër Malit të Shoshit, ka patur rrëshqitje masive gurësh dhe dheu. Kjo ka sjellë veshtiresi dhe bllokime të rrugës malore në drejtim të njësive administrative Shosh dhe Shalë.
Pas komunikimit me banorët e zonës, kemi punuar me ekskavatorë dhe punëtorë për të pastruar dhe bërë të kalueshme rrugën e bllokuar. Është punuar pa ndërprerje, gjjtë gjithë ditës, në kushte të vështira për shkak të madhësisë së gurëve, rrëshitjeve masive në rrugë, por dhe temperaturave të ulëta.
Falë kësaj pune, është bërë e mundur të largohen gurët dhe dherat nga trupi i rrugës, duke rihapur kështu qarkullimin në këtë rrugë për mjetet e larta drejt Shoshit dhe Shalës.”. /ShkodraWeb Media/