Prej disa ditësh, një nga investimet më të diskutuarra dhe të shumëpritur për Shkodrën ka nisur të vihet në zbatim. Rruga Shirokë – Zogaj, me një gjatësi prej 6,5 km deri në pikën kufitare që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, ka nisur zbatimin.
Në kantierin ku kanë nisur punimet në kufi mes dy vendeve ka qënë vetë Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, i cili u shpreh se është i kënaqur për nisjen e këtij investimi që e kthen Zogaj në një pol të rëndësishëm turistik dhe ekonomik për Shkodrën.
Nga ana tjetër ai u shpreh se me bypasin që është menduar nga projektuesit për të mos hyrë në qendër të fshatit, kjo zgjidhje shmang prishjet por i jep Zogajve një mundësi për ta kthyer në një fshat të mirëfilltë turistik.
Rruga Shirokë – Zogaj, ka një gjatësi prej 6,5 km, rruga do të jetë e gjërë rreth 10 metër, me dy korsi, me korsi të dedikuar për biçikletat, me ndriçim dhe të gjitha elementët që e bëjnë këtë segment jo vetëm një rrugë panoramike buzë liqenit por edhe një artierie e rëndësishme që lidh dy vendet Shqipërinë dhe Malin e Zi duke shkurtuar rrugën nga Shkodra në Krajë në vetëm 11 km.