Me mundësitë tona, informacionin dhe hapërsirën ku mund të shpërndahemi, herë pas here përpiqemi të sjellim në vemendje personazhe me kontribute në fusha të ndryshme, kontribute jo vetëm për Shkodrën por edhe përtej. Natyrisht, panteoni i këtyre figurave, me kontribute të shtrira përgjatë shekujve të ekzistencës shqiptare, është mjaft i gjërë dhe jo çdo gjë pasqyrohet, kujtohet ose përkujtohet në këtë portal.
Megjithatë, përtej përpjekjeve tona, në jo pak raste nuk ia dalim të rikthejmë vlerat në vemendjen tuaj e për këtë, ndjesa jonë është më e pakta që mund të bëjmë. Nga sot, zyrtarisht, mirëpresim çdo sugjerim, çdo informacion nga ju, që mund të na bëjë të jemi më të saktë, të shpejtë dhe informues lidhur me ata që vazhdojnë të na bëjnë krenarë, edhe pas shumë viteve që nuk janë në mesin tonë fizikisht.
Para disa ditëve, aktori i humorit Smajl Alija, ka patur përvjetorin e ndarjes nga jeta. Mund të konsiderohet aktor i roleve të vogla në Teatrin “Migjeni”, por gjithsesi pjesë e plejadës së artë të emrave të mëdhenj të humorit shkodran e shqiptar. Sigurisht, për arsye që përmendëm më lart, nuk jemi shumë në kohë, për të përkujtuar me disa rreshta në ikjen e tij Smajl Alinë. Por fatmirësisht, janë qindra orë regjistrime në skenën e Teatrit “Migjeni”, të skenave anëkend vendit dhe jashtë, evente të ndryshme që e mbajnë të gjallë krijimtarinë e tij.
Smajl Alia ka lindur më 1 mars të vitit 1945. Pasi kryen shkollën e mesme të ndërtimit në Tiranë, punon si teknik ndërtimi në shumë vepra industriale, që nga Laçi i Kurbinit, në Vaun e Dejës e Fierzë.
Talenti i tij si humorist, spikati që në shkollë, ku më pas, për interpretime të suksesshme u nderua në grupet amatore shumë herë nga juritë e festivaleve lokale e kombëtare.
Në vitin 1982-1995 ishte aktor profesionist i estradës së Shkodrës. Për lojën me nivel e origjinalitet është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë.
Krahas aktivizimit interpretativ amator e profesionist, ai asnjëherë nuk e ka hequr penën nga dora, duke thurë bejta e shkruar skeçe, intermexo, parodi, poezi satirike dhe tekste këngësh popullore.
Në momentin që mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Smajl Alisë, ashtu “me një frymë” siç ndodh shpesh me ne gazetarët, shkruajta disa rreshta. Sot, kur kanë kaluar disa ditë nga 6 vjetori i mungesës së tij fizike, unë dua ti rikthej, fiks siç i kam shkruar atë ditë. Kjo, në formë edhe të ndjesës që përmenda më lart.
Unë e kam njoftë Smajlin, siç e kanë njoftë edhe mijëra të tjerë, edhe jashtë Shkodre e Shqipnie. Më ka rastisë disa herë të pi kafe me të dhe me ka ra në sy diçka shumë e veçante për një artist Shkodre. Pavarësisht se pas 1990-ës u anashkalua deri në harresë si aktor (kryesisht nga palaço- shteti ynë, në Tiranë e veçanërisht në Shkodër), nuk e dëgjova asnjëherë të fliste me mllef, me smirë për askënd, edhe ata që mbase i kishin hequr nga një tullë në rrugën e karrierës që ja ndërprenë në kulmin e aftësive artistike me ardhjen e demokracisë.
Edhe nga kolegët që kanë punuar me të, kam dëgju fjalët më të mira. Kur siguronte me shumë sakrifica apo me dashamirësinë individuale të ndonjë producent- regjisori, pse jo të guximshëm, ndonjë rol në skenë apo në ndonjë mbrëmje në lokale, thoshte thjeshtë “me ja ba shyqyrin”. Smajli ka pasë halle, siç kanë të gjithë njerëzit e zakonshëm, e artistët më shumë se ne të zakonshmit, falë shpirtit të tyre emocional.
Por nuk e vunë hallet poshtë, por nëpërkëmbja deri në harresë e një artisti që pa diskutim ka lënë gjurmën e tij në humorin por edhe kinematografinë tonë me ato pak role. Edhe orët e fundit të qendrimit mbi këtë tokë, la amanet ti kalonte vetëm, duke pasë pranë vetëm njerëzit më të afërt që nuk e braktisën kurrë.
Kam përshtypjen e e parandjente dhe nga kapërcyelli i dy botëve, nuk do ta duronte hipokrizinë e fjalëve të bukura të atyre që ja nxinë jetën, të paktën jetën artistike, siç ndodh rëndom me ata që na lënë. Heshti gjithë jetën, duroi çdo gjë mbi shpinë, por të gjithëve ju ktheu “reston” me fundin e rrugëtimit në tokë: tashmë të gjithë e dinë se ishte dëshira e tij që të mos kishte një ceremoni solemne në hollin e Teatrit “Migjeni”, edhe pse e meritonte!
Arsyen nga dje, e dinë të gjithë, siç unë e kisha kuptuar që në të gjallë të tij se ai vuante përjashtimin e pamerituar nga radhët e kolegëve, që edhe ata, një pjesë të paktën, e konsideronin si një kategori më poshtë! Nuk po të them lamtumirë Smajl sepse nuk dua të rreshtohem në radhët e patetikëve që të vajtojnë sot me lot krokodili! Kjosh mirë me Zotin, besoj se shpirtërisht si artist, je më i qetë! Ke në dispozicion skenën hyjnore tashma!
(Kam pritë deri tash që dikush nga ata që e konsideronin akoma mik, të shkruanin diçka të ngjashme, edhe si autokritikë e mbrame e pa vlerë për momentin. Po e shkruaj unë, edhe pse nuk e kam pasë amanet, por ma kujtuan kafet që pinim dikur me Smajlin). /Nga Blerti DELIJA/