Bashkia Shkodër dhe Komuna e Ulqinit firmosën marrëveshjen “Për nxitjen e bashkëpunimit në kuadër të Programit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri”.
Ajo është konkretizuar gjatë një takimi të mbajtur në zyrën e kryetarit të bashkisë Shkodër Bardh Spahia, i cili priti delegacionin e komunës Ulqin udhëhequr nga kryetari Omer Bajraktari.
Dy drejtuesit vendor folën për mundësitë e shumta të bashkëpunimit mes dy njësive që i ndan vetëm kufiri, por që i bashkon historia dhe tradita e hershme e marrëdhenieve mes tyre. Mundësitë janë të shumta si në turizëm, art e kulturë, ashtu edhe në zbatimin e projekteve të përbashkëta me ndikim ekonomik.
Dy kryetarët folën për projektet që shumë shpejt do të finalizohen dhe që kanë ndikimin të drejtëpërdrejtë për Shkodrën dhe Ulqinin, si rruga Zogaj – Skje, ura e re që lidh Velipojën me Ulqinin etj.
Kjo marrëveshje i hap rrugën të tjera bashkëpunimeve që drejtuesit vendor deklaruan se do të finalizohen në vazhdimësi, ku takimet e përbashkëta do të jenë më të shpeshta për t’i dhënë jetë projekteve në fjalë.