“Shkodra e ka zemrën tek sporti”, kështu është shprehur Benet Beci, kandidat për kryetar i bashkisë Shkodër në takimin e zhvilluar me sportistë, ish- sportistë dhe trajnerë të asaj që mund të konsiderohet krenaria e përjetshme e shkodranëve.
Fillimisht, Beci ka dëgjuar me vemendje problematikat e ngritura nga të pranishmit lidhur me sportet e ndryshme. Pallati i Sportit, i konsideruar i papërshtatshëm për një bashki si Shkodra; mungesa e palestrave për stërvitje normale, ishin problematikat më të përmendura.
Ndërkohë, sportistë të njohur kanë folur edhe për trajtimin financiar, duke u ndalur edhe tek ajo që mund të konsiderohet “punë e zezë” në sport, ku edhe pse me 20 vite aktivizim, nuk kanë asnjë ditë të siguruar.
Në fjalën e tij Beci ka deklaruar se sporti për vetë vlerat që bart, duhet të ketë një vemendje të veçantë nga bashkia e Shkodrës. Ai ka vënë theksin në shtimin e investimeve por edhe afrimin e donatorëve, ndërtimin e partneriteteve dhe afrimin e partnerëve si dhe institucionalizimin e komunikimit me bashkinë Shkodër.