“Trashëgimi të ndryshme në Qytetet Europiane – Krijimi i një rrëfimi të identiteteve disonante europiane përmes pjesëmarrjes së qytetarëve” është qëllimi i projektit “FARO” që po zbatohet në 8 vende të ndryshme të Europës, mes të cilave edhe bashkia Shkodër.
Shkodra është një nga qytetet që ka filluar të investojnë në mënyrë të konsiderueshme në krijimin e hapësirave kulturore për të shpjeguar më mirë trashëgiminë e lënë nga regjimi komunist. Në fjalën e tij kryetari i bashkisë Bardh Spahia u ndal tek rëndësia e këtij projekti, pasi ruajtja e objekteve të asaj periudhe dokumenton një kohë dhe përcjell një histori, për të cilën brezat e ri duhet të informohen dhe ta kenë si dëshmi.
Yasho Minkov, nënkryetar i bashkisë së Dimitrovgrad dhe njëherësh zv/drejtor i Atrium përgëzoi bashkinë Shkodër për bashkëpunimin e treguar në këtë projekt.
“Dua së pari të falenderoj bashkinë Shkodër për mikpritjen, pasi kemi një partner lider në këtë projekt që ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për ecurinë e tij. Kemi të bëjmë me një tematikë delikate siç është ajo me trashëgiminë disonante (të ndryshme), pasi ka të bëjë më një trashëgimi që akoma dhemb dhe krijon konflikt brenda komunitetit local. Me lejoni ti them kryetarit të bashkisë se keni një grup fantastik pune dhe dua t’ju përgëzoj për këtë, pasi kanë qënë një ndihmë e madhe në çuarjen përpara të projektit. Kjo lloj trashëgimie nuk është e thjeshtë për t’u menaxhuar, veçanërisht në nivelin lokal. Ekziston një risk konstant për keqkuptime ose akuzime për revizionizëm të historisë përsa i përket regjimit që e ndërtoi këtë trashëgimi”, tha ai.
Bashkia Shkodër ka tashmë një eksperiencë të gjatë në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të vlerave dhe trashëgimisë në territor, organizimin e aktiviteteve kulturore dhe promovimin i identitetit kombëtar e lokal, si dhe administrimin e objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve. Historia e persekutimeve, terrorit dhe vuajtjeve në Shkodër, ka tërhequr vëmendjen e shoqatës ATRIUM (Arkitektura e Regjimeve Totalitare të Shekullit XX në Kujtesën Urbane të Europës) e cila menaxhon “European Cultural Route” (Itinerari Kulturor Europian).