Prej disa muajsh tashmë, qyteti i Shkodrës po ndryshon imazhin e tij. Në zona të ndryshme të tij, kanë nisur të shfaqen murale gjigante, të cilat jo vetëm e zbukurojnë por i shtojnë një vlerë më shumë edhe si atraksion për turistët që e vizitojnë.
Pikturat murale stimulohen nga përmirësimi i fasadave të pallateve në hyrje të Shkodrës por jo vetëm, një projekt që po zbatohet prej më shumë se një viti e gjysëm nga Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Një tjetër murale është shtuar në hyrje të qytetit.
“Nadja e mirë me “Bunën”, muralen e re, që i shtohet Shkodrës në hyrje të qytetit nga artistët tanë.”, shkruan në rrjetet e tij sociale kryebashkiaku Benet Beci.
Me shtimin e sipërfaqeve të përshtatshme, sidomos në pallatet shumëkatëshe, do të vijojnë të shtohen edhe muralet. Me gjasë, pas disa kohëve, përveç epiteteve të tjera, Shkodra do të nis të quhet edhe “qyteti i muraleve”.