Shkrimtari dhe publicisti i njohur shkodran Xhahid Bushati, ishte personazhi i radhës i podcast “Gjurmë zërash”, ideuar dhe realizuar nga Bashkia e Shkodrë me figura me kontribute të spikatur në sfera të ndryshme të jetës.
Gazetari Adrian Hoti dhe kameramani Maison Kavaja, përcjellin për audiencën një tjetër vlerë të Shkodrës e më gjërë siç është Xhahid Bushati, sidomos për letërsinë për fëmijë.
KUSH ËSHTË XHAHID BUSHATI
Xhahid Bushati ka lindur më 17 maj 1953 në qytetin e Shkodrës. Në vitin 1976 ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në fakultetin Gjuhë shqipe-letërsi. Në vitin 1986 shkon në Tiranë dhe mbaron specializimin pasuniversitar për kritikë letrare, ku mbron temën: “Letërsia fantastiko-shkencore dhe fëmijët”.
Për shumë vite ka punuar mësues. Më vonë punoi 15 vjet si gazetar i Departamentit të emisioneve artistike në Radio Shkodra, Shkodër. Aktualisht punon mësues i lëndës Gjuhë shqipe-Letërsi në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”.
Që nga viti 1986 e deri në vitin 2010 ka qenë pedagog i jashtëm i Lëndës letërsi për fëmijë (për C.U. dhe C. Parashkollor) pranë Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Kohët e fundit është zgjedhur dhe N/ kryetar i Shoqatës së pavarur të shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë e të rinj shqiptarë.
Xhahid Bushati është i pranishëm me botimet e tij nëpër të gjitha revistat e fëmijëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Ulqin. Para dhe pas vitit 1990 është nderuar me çmime kombëtare në konkurset letrare-artistike që janë organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, nga Shoqata e pavarur e Shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë e të rinj, si dhe nga organet e ndryshme letrare-artistike.
Shkruan prozë dhe poezi, pjesë për kukulla, merret me publicistikë e studime të letërsisë për të rritur e fëmijë, etj., por kryesisht i është përkushtuar fushës së letrave për fëmijë.
Ka botuar këto vepra:
1.”Dita e parë e dëborës”, skica dhe tregime, 1976
2.”Hyni në çadrën time”, vjersha, 1978
3.”E fshehta e xhamit të thyer”, pjesë për kukulla, 1985.
4.”Kurthi i korbave”, pjesë për kukulla, 1986
5.”Kush i hëngri manaferrat?”, përralla, 1986
6.”Ndihmojeni arushin e vogël!”, përrallë me figura për fëmijët e kopshteve, 1986
7.”Kush e zgjoi këngën e zogut?”, vjersha 1987
8.”Kush t’i solli yjet, hënën?”, vjersha, 1989
9.”Ditëlindja e arushit”, pjesë për kulla, 1993
10. “Përrallat e babit tim”, përralla, 1994; Fitues i çmimit “Sirena e vogël, 1994”.
11.”Djali dhe pema”, pjesë për kukulla, 1995.
12.”Historitë e arushit, ketrushit dhe xixëllonjës së vogël”, përralla në vargje, 1995.
13.”Djali i vogël sa një kokërr arrë”, përralla sipas motiveve popullore, 1996
14.”Historia e kallzës së vogël flokartë”, novelë-përrallë, 1996.
15.”Loti i pyllit”, përralla, 1997; Fitues i çmimit “Viktor Eftimiu”, akorduar nga Ambasada Rumune në Tiranë.
16.”Drita e kujtimeve…” , studime mbi artin skenik, 1998 (libër për të rritur)
17.”Shshshsht, se zogjtë po bëjnë gjumë!”, vjersha 1998; Fitues i çmimit Kombëtar të Letërsisë për fëmijë 1998, akorduar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sporteve.
18.”Dredhia e gjinkallës”, përralla, 2000. Fitues i çmimit “Kësulkuqja”
19.”Maço Maçoku mbeti gojëhapur”, përralla, 2001.
20.”Historia e tre pëllumbave”, tregime, 2002
21.”Porosia e diellit”, vjersha, 2003
22.”Gabimi i diellit”, përralla, 2004
23.”Historia e zogut verdho”, përrallë në vargje, 2006.
24.”Gabimi i gjethes së dytë”, pjesë për kukulla, 2006.
25.”Çuditë e rrezes lodërtare”, vjersha, 2007
26.”Si u bë fole kapela e gjyshit”, vjersha, 2008
27. “Fytyra e kujtesës”, shkrime mbi artin skenik, pjesa e dytë, 2008, (libër për të rritur).
28. “Historia e Gjembit dhe e Gjembaçit”, përralla, 2008; ribotim me përmirësime, 2011.
29.”Gjyshi, bastuni dhe zogu”, poemë për fëmijë, 2010; Fitues i çmimit “Tasim Gjokutaj”.
30.”Katër pyetje erës”, vjersha, 2010.
31.”Një maçok dy herë budalla”, përralla, 2012.