Kantautori shqiptar, Ermal Meta, ka triumfuar në festivalin më të rëndësishëm të këngës ‘Sanremo’, në Itali, duke rrëmbyer çmimin e madh. Ermal Meta, i cili mori pjesë në këtë garë së bashku me këngëtarin italian, Fabrizio Moro, me këngën “Nuk më keni bërë asgjë” (Non mi avete fatto niente).
Ata u shpallën fitues me 52% të votave në vendin e parë, me një diferencë të madhe ndaj vendit të dytë që mori 22%.
Pas shumë polemikave këtë edicion të festivalit, Meta dhe Moro kanë arritur të lënë gjithçka pas krahëve dhe me performancat e tyre të jashtëzakonshme fituan zemrat e italianëve, duke u bërë më të votuarit në këtë festival.
“Non mi avete fatto niente” u pezullua përkohësisht për dyshim të thyerjes së rregullores së Festivalit, por pas vlerësimeve, “Rai” doli në përfundimin që kjo këngë të vazhdonte garën.
Pas verifikimeve, RAI ka vendosur qe Meta te vazhdojë garën pasi ka rezultuar se kënga e tij nuk ishte plagjiaturë, sikurse dyshohej.
Por kush është Ermal Meta? Ai lindi në Fier dhe që prej moshës 13 vjeçare jeton në Bari, Itali me familjen e tij. Karrierën e tij e nisi si kitarist i grupit Ameba 4. Grupi konkurroi në kategorinë e të rinjve në Sanremo të vitit 2006 me këngën “Rido… forse mi sbaglio”.
Në vitin 2009, Meta formoi një tjetër grup, La Fame di Camilla, me të cilët realizoi tre albume. Në 2010, ai mori pjesë përsëri në Sanremo në kategorinë e artistëve të rinj. Përveçse këngëtar, ai është dhe një kantautor mjaft i talentuar. Ermal Meta ka shkruar këngë për emra të njohur të muzikës italiane si Patty Pravo, Marco Mengoni, Emma, Giusy Ferreri etj. Gjithashtu, ai ka shkruar dy këngë “Tutto si muove” dhe “Volevo perdonarti, almeno” për serialin televiziv Braccialetti rossi.
Në vitin 2017 ai konkurroi për herë të tretë në Sanremo, por për herë të parë si solist. Kënga e tij “E ndaluar të vdesësh” u konsiderua si një nga krijimet me tekstin që përcillte mesazhin më të fortë në këtë festival ku ai zuri vendin e tretë.