Të dashur bashkëqytetarë,
Banorë të Bashkisë Shkodër,
Dita e sotme është shumë e rëndësishme për Shkodrën por edhe Shqipërinë. Me votën tonë kemi në dorë fatin e familjeve e fëmijëve tanë. Sot, duhet të bëjmë një zgjedhje të qartë për të sotmen por edhe për të nesermen e shtëpisë sonë të përbashkët.
Çdo votë është një gur në themelin e ëndrrës tonë të përbashkët për të rikthyer shpresën, për të sjellë ndryshimin për Shkodrën e Shqipërinë. Kanë mbetur edhe pak orë në dispozicion për të ushtruar të drejtën tonë kushtetuese për të votuar.
“Shtëpia e Lirisë” fton të gjithë shkodranët, në qytet dhe në njesitë administrative, t’i drejtohen kutive të votimit, të shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe të pavarur. Vetëm kështu bëhemi pjesë e vendimmarrjes, vetëm me votën tonë japim kontribut për vete, familjet tona e fëmijët tanë.
I përsërisimin thirrjen tonë jo vetëm qytetarëve por edhe administratorëve të procesit zgjedhor në të gjitha nivelet. Të garantojnë votën e shkodranëve, në zbatim të ligjeve në fuqi. Kujtojmë se
Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal përcaktojnë sanksione ligjore të ashpra për të gjithë shkelësit. Edhe njëherë, “Shtëpia e Lirisë” i bën thirrje shkodranëve t’i drejtohen masivisht kutive të votimit, të vendosin me votën e tyre për të ardhmen për shpresë e ndryshim. /Deklaratë nga Imelda KRAJA, zëdhënëse e “Shtëpia e Lirisë” Shkodër/