Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ka kërkuar nga autoritetet zbardhjen e ngjarjes së rendë të shpërthimeve të njëpasnjëshme me lëndë plasëse mëngjesin e së shtunës në Shkoder.
“Kjo ngjarje ka tronditur qytetin, biznesin dhe familjet. Nevoja për të patur siguri është domosdoshmëri në këtë qytet” , tha Ademi.
“Shteti ynë ka probleme dhe ka pasë probleme që lidhen me sigurinë. Ngjarje të tilla tregojnë mungesën e eficencës, profesionalizimit, dëshirës, vullnetit për të punuar dhe për t’ i siguruar qytetarët në Shqiperi”, shtoi ajo.
Ademi tha se është investuar nga Bashkia Shkodër në kamerat e sigurisë në akset kryesore të qytetit dhe në çdo kohë që kërkohen, policia i ka në dispozicion.
Ndërsa shtoi se, gjatë këtyre viteve në krye të Bashkisë Shkodër nuk është ndjerë e kërcënuar por nuk ka rreshtur duke kërkuar që çdo qytetar të ndihet i mbrojtur dhe i sigurtë.