Suedia merr fitoren e parë në grupin E dhe ngjitet në vendin e parë me 4 pikë. Pas barazimit pa gola ndaj Spanjës, skandinavët mposhtën 1-0 Sllovakinë në stadiumin San Petersburg të Rusisë. Një ndeshje e vakët, pa shumë raste, e vendosur nga një penalti.
Pjesa e parë ishte një nga më të dobëtat për nga rastet në drejtim të portave respektive. Sllovakia u duk disi më e organizuar, por munguan gjuajtjet në kuadrat.
Në pjesën e dytë, Suedia rrit ndjeshëm ritmin dhe krijon disa mundësi shënimi, ku spikat Isak. Sulmuesi suedez, ashtu si ndaj Spanjës, ishte më ngacmuesi edhe në këtë sfidë.
Për të ardhur në minutën e 77-të. Quasion fitoi një penallti pasi portieri Dubravka ndërhyri duke e penguar. Isak dha një super asist për shokun e ekipit, që zhvendosi topin dhe u pengua nga gardiani sllovak. Nga pika e bardhë nuk gaboi Forsberg.
Mjaftoi kaq, pasi Suedia e mbron fort këtë gol dhe tashmë me 4 pikë është thuajse në fazën tjetër. Sllovakia mbetet në kuotën e 3 pikëve, por në sfidën e fundit ndaj Spanjës do ta ketë të vështirë, ndërsa Suedia do të përballet me Poloninë.