Vllaznia do të presë në stadiumin “Loro Boriçi” Tiranën ditën e nesërme, në orën 16:00, e vlefshme për javën e 21-të të Superiores. Në konferencën përpara mediave, trajneri i kuqebluve, Mirel Josa, u shpreh se skuadra do të hyjë në fushë vetëm për tre pikët.
“Jemi përgatitur si për çdo ndeshje tjetër. Qëlloi që luajmë me Tiranën. Ndeshja për të dyja skuadrat është e një rëndësie të veçantë. Mua më intereso, duke pasur parasysh ndeshjen e fundit, skuadra të korrigjojë gabimet që ka bërë në sfidën me Kukësin. Të vazhdojmë punën dhe të shohim më tej.
Çdo ndeshje ka rëndësinë e vetë. Tierana është 6 pikë para nesh. Mos të harrojmë që jemi po me të njëjtat pikë me Partizanin dhe skuadrat e tjera i kemi shumë afër. Kështu që duhet ta shohim këtë ndeshje si përparësi për të siguruar një vend në Europë.
Nuk janë vetëm lojtarët që mbajnë peshën e një ndeshjeje, por është dhe stafi drejtues, stafi organizativ i skuadrës. të gjithë e presim ndeshjen me Tiranën. Edhe sikur të kishim pozita të ndryshme në klasifikim, ndeshja me Tiranën ka gjithmonë një vlerë të veçantë.
Jam trajneri i Vllaznisë dhe po pres ndeshjen me Tiranën. Por kam qenë dhe në pozicione të kundërta. Kam qenë trajneri i Tiranës dhe kam pritur ndeshjen me Vllazninë. Janë të dyja me shumë vlera. Janë të dyja skuadra me sportdashës shumë të zjarrtë. Kështu unë i kam pritur ndeshjet njësoj. Të shohim si të dyja skuadrat do të mundohen të marrin rezultat.
Ne kemi bërë dy ndeshje me Tiranën në Tiranë. Nuk do të thotë asgjë çfarë kemi bërë dy ndeshjet e kaluara. Kanë qenë dy ndeshje të cilat janë bërë në pozita të ndryshme në klasifikim. Edhe ndeshjen e parë që kemi shkuar dhe fituam në Tiranë kemi qenë ne në pozita të vështira. Kemi ardhur me pozita të tjera. Jemi 6 pikë larg Tiranës dhe barazim me pikë me Partizanin. Kemi dhe skuadrat e tjera mbrapa. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm.
Formacioni fitues nuk ndryshohet? Ky është një parim që në përgjithësi nuk e mbaj vetëm unë, por e mbajnë edhe trajnerë të tjerë. Kemi mundësitë për të ndryshuar shumë në këto momente. Dhe kërkojmë që lojtarët të cilët kanë qenë të dëmtuar, ose të rikuperuar nga dëmtimet, edhe ata duan kohën e vet për të ardhur aty ku duhet. Kështu që unë do t’i jap shansin atyre lojtarëve që kanë sjellë skuadrën deri këtu.
Dhe këtë s’e kanë bërë vetëm 11 lojtarët që kanë luajtur. E kanë sjellë edhe ata që kanë luajtur si rezervë në disa momente. Nuk është problem për mua. Unë duhet të ruaj një skuadër solide, unë duhet të ruaj një skuadër e cila të jetë gati për luftë. E kam thënë që në fillim të kampionatit. Unë këtë e konsideroj një luftë në të cilën njëra skuadër humb, tjetra fiton.
Tifozët përherë ndeshjen me Tiranën e kanë pritur në këtë mënyrë. Unë kujtoj shumë ndeshje të tjera, jo vetëm me Tiranën, por kemi qenë në 2007, kur unë kam qenë trajner këtu. Tirana ishte në vendin e parë dhe ne pretendonim për vendin e dytë. Kishim një ndeshje me Durrësin.
Ishte stadiumi plot. E fituam 3-1 ose 3-0 dhe mbas një jave kemi ardhur për të luajtur me Peqinin, ka pasur 200 veta në stadium dhe skuadra është mundur 0-2. Kështu që duhet t’i shohim pak këto precedentë. Si ndeshja me Tiranën, si ndeshjet e tjera, vlejnë për ne tre pikë. Unë shikoj interesimin që kanë kur dalim nëpër Shkodër. Ne do të hyjmë për të bërë lojën tonë dhe të marrim më të mirën nga kjo përballje. Sepse edhe ajo skuadra tjetër nuk është kot 6 pikë përpara nesh”, u shpreh Josa.