Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, zhvilloi ditën e sotme një takim me gazetarët në zyrën e tij në selinë e Partinë Demokratike, ku tentoi të bënte transparencën mbi firmat e mbledhura për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së.
Paloka i ftoi gazetarët që të shohin formularët, por mos të bëjnë publike të dhënat personale të delegatëve të cilët kanë firmosur. Gjithashtu kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së theksoi se verifikimi i emrave do të bëhet nga Komisioni i Mandateve ditën e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar.
‘Do kërkoja vetëm një gjë, që të dhënat personale të mos t’i nxjerrim. Ju konfirmoj që kemi 4200 formularë të plotësuar nga delegatët. Delegatët e Kuvendit të PD-së janë të përcaktuar në statut, janë nga kryetarët e grup seksioneve, deputetët e deri te kryetari.
Të gjithë këta që kanë firmosur janë të gjithë delegatë të kuvendit. Delegatët nga një Kuvend në tjetrin janë të njëjtët. Këtu janë të gjitha të dhënat, emër, mbiemër, emri i babait, numri i kartës së identitetit.
Ju them që të mos fokusojmë emrat. Gazetarët të ulen aty dhe t’i marrin t’i shohin. Gazetarët nuk i njohin delegatët, as unë nuk i njoh, verifikimi i tyre do të bëhet nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin Kombëtar. Do të ishte mirë që për transparencën e këtij Kuvendi, përpara se të nis puna të marrim më shumë kohë dhe ti lexojmë të gjithë emrat një nga një dhe pastaj të pajisen me mandatin për të hyrë në kuvend. Këto verifikohen ditën e Kuvendit me Komisionin e Mandateve.
Ky është kuvend i jashtëzakonshëm, procedurat e statutit parashikojnë që kuvendi mblidhet në mënyrë normale. Të gjithë janë të detyruar t’i binden vullnetit të shumicës, edhe unë që nuk e kam firmosur mbledhjen e këtij Kuvendi’, tha Paloka.