Thomas Brdariç ka humbur edhe durimin pas humbjes me Tiranën në ndeshjen e sotme. Tekniku kuqeblu është paraqitur para gazetarëve shkodranë si zakonisht, duke iu përgjigjur peytjeve të gazetarëve për ndeshjen.
Gjithçka ka shkuar normalisht deri në momentin kur gazetarët i kanë kujtuar “lëkundjen” e pankinës pas humbjes me Tiranën. Fillimisht, Brdariç ka dhënë një përgjigje të shkurtët, duke u kujtuar gazetarëve “të jeni pak të kujdesshëm me këtë pyetje”.
Në vazhdim, ai ka vijuar të flasë në gjermanisht. Në momentin që përkthyesi ka filluar përkthimin në shqip, ai ka lëshuar një të qeshur ironike, ka kërkuar falje dhe është larguar papritur. Përkthyesi ka kërkuar ndjesë për sjelljen e trajnerit dhe i vetëm, ka bërë përkthimin e përgjigjes së Brdariç.
Në fakt, kur përballen me humbje, sidomos kur rrezikohet tashmë jo vetëm objektivi madhor i sezonit- titulli por edhe pjesëmarrja në Kupat e Europës, pyetja për mundësinë e shkarkimit është më normalja për një trajner futbolli.
Kjo ka ndodhur me emrat më të mëdhenj të trajningut botëror dhe jo me një trajner që po bën emër e karrierë, të paktën në Ballkan, tek Vllaznia modeste. Ndoshta klubi duhet të reagojë, të paktën me një ndjesë zyrtare për gazetarët. As për fitoret nuk kanë shumë meritë por sidomos për humbjet gazetarët nuk kanë asnjë përgjegjësi.