Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka kërkuar nga Këshilli Etikës në parlament marrjen e masave disiplinore nda deputetit Bujar Çela, i cili zgjodhi të uronte kolegët e Komisionit të Sigurisë për festat e Nëntorit përmes një fotoje të diktatorit Enver Hoxha.
Përmes një konference të jashtëzakonshme për mediat nga selia blu, Alibeaj e quajti këtë akt si një provë të gjallë se Partia Socialiste është pjellë e Partisë së Punës. Gjithashtu ai bëri me dije se Partia Demokratike do të paraqesë së shpejti në Kuvend një paketë ligjore për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.
“Rasti i djeshëm i deputetit Bujar Çela tregon më së shumti se nuk është vetëm një rast i shkëputur, tregon më shumë sa kaq. Tregon nevojën e shoqërisë shqiptare për tu shkëputur nga e shkuara komuniste.
Evokimi i figurës së diktatorit nga një ligjvënës, nuk është thjesht thyerja e Kodit të Sjelljes të parlamentit, por është diçka më tepër, tregon nevojën ulëritëse dhe urgjente për të bërë dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.
Në këtë situatë, në emër të kolegëve dhe të pozicionit tim që kam si kryetar i Partisë Demokratike do të kërkojmë në Këshillin e Etikës në parlament marrjen e masave për deputetin në fjalë. Por ajo që ne i kemi paraqitur kryetarit të Partisë Demokratike është që Partia Demokratike të paraqesë një paketë të plotë ligjore që fokuson dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.
Në këto 30-vite janë bërë shumë përpjekje në funksion të kësaj gjëje, por asgjë konkrete nuk është arritur. Teksa një ligjvënës ndodh që të bëjë osanah e të thurë lavde ndaj diktatorit. Pikërisht nevojitet një paketë ligjore e cila do të fokusojë më së pari dekomunistizimin e shoqërisë, pajisjen e kurrikulave në shkolla, shpërblimin e të përndjekurve, si ndëshkimin dhe distancimin nga nga trashëgimia e së djeshmes.
Janë këto synimet kryesore. Mbi të gjitha dhe ndëshkimin politik dhe moral. Nuk na bën çudi fakti që një ligjvënës i Partisë Socialiste ndërmerr këtë akt, është prova më e gjallë që Partia Socialiste është pjella e Partisë së Punës”, tha Alibeaj.