Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati ka dalë kundër vendimit të qeverisë për Portin e Porto Romanos, ku sipas tij synohet që t’i ndryshohet në thelb subjekti. Gjatë fjalës së tij, Bushati i ka kërkuar kolegëve deputetë që të mos e votojnë këtë vendim, ndërsa bëri thirrje për ndarjen e politikës nga oligarkia.
Bushati theksoi se PS është votuar në 2013 nga qytetarët pasi është premtuar se do të ndahet oligarkia nga politika, kurse sot ai pohon se niveli i ndërhyrjes së oligarkëve në politikë dallon nga fuqia e institucioneve.
“Është momenti për të mos shkuar në një kapitalizëm grabitqar ku oligarkët e shpërthejnë politikën”, shprehet Bushati.
“Sot po kërkohet të miratohet një kontratë për një koncesionar të ri pa një procedurë, pa ligj, në një situatë të vështirë. Dua ta filloj me një lutje për ju kryetar. Jam dakord me fjalët që mbajtët në fillim të seancës. Në rast se di t’i qëndrojmë fjalëve tuaja do ju lutesha mos ta votojmë këtë kontratë që ti japim kohë aktorëve shtetërorë të bëjë analizën e duhur. Nuk kemi tagër të burgosim të ardhmen e gjeneratës së re.
Në komunizëm deti ishte i pashfrytëzuar dhe sot jemi në kapitalizëm dhe çdokush duhet të dijë se çfarë ndodh në vijën bregdetare, sa porte do të ketë etj.
Me këtë kontratë të synohet që portit të hidrokarbureve t’i ndryshohet në thelb subjekti. Ne sot duhet të kishim këtu një projekt vizibiliteti. Unë jam një njeri që besoj të idealet.
Nuk kemi pse t’ia marrim portit të Durrësit dhe t’ia japim privatit. Nuk kanë pse shqiptarët të paguajnë taksa për të çuar postën atje, doganierin etj. Le ta bëjë privati këtë nëse e do.
Ne duhet të ndahemi me oligarkinë. Niveli i penetrimit në politikë dallon nga fuqia e institucioneve. Interesin e publikes duhet të mbrojmë në kryetar. Ne na kanë votuar në 2013 dhe kemi thënë do ti anulojmë koncesionet. Është momenti për të mos shkuar në një kapitalizëm grabitqar ku oligarkët e shpërthejnë politikën”, deklaroi Bushati.