Në rrjetet sociale, ka qarkulluar orët e fundit një informacion, sipas të cilit Teatri “Migjeni” do të shkrihet. Lajmi i çuditshëm ka marrë shkas nga një urdhër i kryebashkiakut Benet Beci, i cili në zbatim të vendimit të Këshillit Bashkiak në mbledhjen e tij të fundit, kishte vendosur që mirëmbajtja e institucioneve publike, mes të cilave edhe Teatri “Migjeni”, të bëhet e centralizuar nga një ndërmarrje e krijuar posaçërisht për këtë qëllim.
Hamendësimeve dhe komenteve nga më të ndryshmet, u ka dhënë fund drejtori i Teatrit “Migjeni”, Arian Çuliqi. Në një intervistë, ai ka folur për projektet e këtij institucioni për vitin 2024, por natyrisht, nuk ka mundur të mos i përgjigjet interesit të mediave për këtë “çeshtje”. SHkurt, qartë dhe saktë, Çuliqi ka deklaruar se institucioni që drejton nuk do të shkrihet, përkundrazi është në valën e punës për sezonin e ri.
Teatri “Migjeni” është institucion lider i artit dhe kulturës jo vetëm në Veriun e Shqipërisë por edhe më gjërë. I nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, Shkodra nuk mund të kuptohet pa ekzistencën dhe produktin e tij artistik. Ky i fundit, ka gjasa të përmirësohet ndjeshëm, aq më shumë kur drejtues e punonjës të tij, nuk duhet të mbajnë mendjen tek kushtet e punës së tyre apo akomodimit të artëdashësve. Tashmë për atë, mendon një ndërmarrje tjetër në varësi të Bashkisë Shkodër.