Deputetja e grupit të “opozitës së re” në Parlament, Rudina Hajdari ka reaguar ashpër pas prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Hajdari thotë se Teatri Kombëtar sot u prish nga klasa politike në marrëveshje mes tyre, ndërsa thekson se “kush ka sy e ka parë qartë një teatër që për 30 vite vihet në skenë nga të njëjtët aktorë”.
Deputetja shprehet se teatrin sot e prishën ata që ditën bëjnë sikur qajnë dhe natën bashkohen në resorte luksoze. Hajdari bën thirrje që “të bëhemi të fuqishëm kundër gjithë kësaj klase politike vendi duhet çliruar nga këta, fuqia i duhet ridhënë qytetarëve”.
“Sot kush ka sy e ka parë qartë një teatër që për 30 vite vihet në skenë nga të njëjtët aktorë. Klasa jonë politike teatrale. Ata që ditën bëjnë sikur zihen dhe natën ndajnë pazaret. Ditën bëjnë sikur ndahen dhe natën bashkohen te resortet e tyre luksoze ku jetojnë të lumtur sëbashku.
Mos kini iluzione teatri sot u prish në marrëveshje të plotë midis tyre. Kush nuk e shikon këtë është i verbër. Koha është tani që të bëhemi të fuqishëm kundër gjithë kësaj klase politike vendi duhet çliruar nga këta, fuqia i duhet ridhënë qytetarëve.
Prandaj unë dua t’ju uroj shumë forcë sepse ne do t’ia dalim shumë shpejtë këtij qëllimi”, tha Hajdari.