Eliminimi në Champions nuk ishte një dramë, fundja përballë kishin një rival me shumë emër si Sherif Tiraspol, por Teuta zhgënjen në mënyrë të pabesueshme edhe në Conference League. Në “Niko Dovana” kampionët e Superligës, pësuan një humbje të rëndë 0-2 përballë ekipit nga Andorra, Inter Esclades, një rezultat që komplikon ndjeshëm aventurën e tyre në europë. Ajo që shqetëson akoma më shumë është mënyra se si e pësuan këtë humbje, duke u thyer pikërisht në armën e tyre më të fortë, në mbrojtje.
Ekipi i Edi Martinit e nisi ndeshjen në sulm, me dëshirën për të mbyllur llogaritë që në sfidën e parë, krijuan volum loje por ishin të pa saktë në pasin final, e aq më tepër në finalizim. Pikërisht në momentin më të mirë të Teutës, një keq pozicionim në mbrojtje i dha mundësinë Soldevila të realizonte golin e avantazhit për Esclades në minutën e 37-të.
Me dëshirën për të përmbysur sa më shpejt rezultatin, bregdetarët humbën qetësinë dhe një tjetër gafë në mbrojtje në minutën e 56-të solli dhe golin e dytë për ekipin nga Andorra, sërish Soldevila përfitoi shumë pranë vijës fatale. Durrsakët bënë gjithçka për të shënuar të paktën një gol që ti mbante në lojë, e bënë diçka të tillë, në minutën e 89-të, por gjyqtari i takimit anulojë gjithçka për pozicion jashtë lojë. Teutës i duhet më shumë se një mrekulli në ndeshjen e kthimit për të qëndruar në lojë në këtë aventurë europine.
Laçi vijon rrugëtimin perfekt në këtë edicion të Conference League, teksa në “Elbasan Arena”, mposhtën Craiova me rezultatin minimal 1-0. Pavarësisht peshës së kundërshtarit, ekipi i Shpëtim Duros zhvilloi një 90-minutësh shumë të mirë, duke hedhur një hap të rëndësishëm në këtë tur të dytë. Bardhezinjtë i lejuan pak hapësira kundërshtarëve rumun, ndërsa me një kundërsulm të shpejtë në minutën e 36-të, kaluan në avantazh me Zarubica, një gol për katalog që i jep qetësinë e duhur për të administruar si duhet ndeshjen e kthimit.