Policia italiane ka sekuestruar rreth 110 kg marijuanë dhe ka vënë në pranga 5 persona, mes tyre 3 shqiptarë gjatë operacionit të koduar “Cargo” të konkluduar pas muajsh hetime në Ferrara.
Superngarkesa e drogës kishte mbërritur në një kapanon të braktisur në rrugën “Marconi” por ata që vëzhgonin gjithçka ishin njerëzit e skuadrës së lëvizshme të policisë.
Ishte një kapanon në rrugën “Marconi” në Ferrara, baza e mbërritjes së ngarkesës mbi 100 kg marijuanë me një vlerë në treg prej më shumë se një milion euro.
Dërgesa vinte nga Spanja me destinacion tregun e Italisë së veriut. Por skuadra e lëvizshme e Policisë së Shtetit, e koordinuar nga drejtuesi Andrea Crucianelli, që prej javësh po punonin për operacionin e koduar “Cargo”: nga fillimi i tetorit e dinin se do të mbërrinte një ngarkesë e madhe në qytet, e dinin se ku por nuk e dinin se kur, vetëm prisnin.
Kështu për 20 ditë të gjata policët shtrihen barkas duke monitoruar çdo ditë dhe çdo orë një kapanon të braktisur, edhe me ndihmën e një kamere survejimi. Derisa, natën mes së dielës dhe së hënës, mbërrin kamioni që prisnin.
Një mjet i tonazhit të rëndë që transportonte arka me fruta, mandarina, portokalle dhe shegë, si dhe 8 pako të mbyllura me nxehtësi që përmbanin më shumë se 110 kilogram marijuanë.
Në timon ishte një transportues spanjoll – Joaqiun Martinez, 37 vjeç. Pranë tij një shtetas maroken, Nour Eddine Benazzi, 43 vjeç. Duke e pritur në brendësi tre burra me kombësi shqiptare: Vital Meço, 43 vjeç, banues në Cento; Tonin Bibaj, 33 vjeç dhe Alfred Gjoka, 36 vjeç, (në shtëpinë e tij u gjetën gjithashtu 70 gram hashash), rezidentë në zonën e Savonës (Alassio dhe Andora). Të tre njerëzit ishin filmuar nga kamerat e survejimit në vendin e ngjarjes dy ditë më herët në kapanon.
Për të mbuluar ngarkesën ‘reale’ ishte vendosur një mur me arka frutash, një prej tyre bie në tokë duke përhapur mandarina dhe shegë kudo. Një detaj jo pa rëndësi që do të shërbente për të konfirmuar se kamioni ishte pikërisht ai i filmuar nga kamera e survejimit.
Por njerëzit e policisë nuk ndërhyjnë menjëherë. Ata presin që mjeti të riniset dhe më pas e ndalojnë në orën 6:45 në daljen e Ferrara Nord, ndërsa drejtohej me shumë mundësi në Campania, ku do dorëzonte frutat. Ata bëjnë një inspektim të shpejtë, nuk gjejnë kushedi çfarë, përveç se një tufë kartëmonedhash të fshehura në xhaketën e Martinz: 13.500 euro, pagesa për dërgimin e drogës nga Spanja në Ferrara.
Në rrugën Marconi policët presin akoma. Tre shqiptarët janë mbyllur brenda kapanonit dhe hetuesit presin që të vijë dikush. Pas rreth një orë nuk shihen lëvizje dhe për të evituar që tre burrat të dalin dhe të arrijnë t’ia mbathin duke përfituar nga rrugët e shumta të daljes, rreth orës 7:30 ndërhyjnë. Një ndërhyrje rrufe që nuk i lë të tre trafikantët – që ishin duke folur dhe duke ngrënë shegë – kohë për të reaguar, dorëzohen menjëherë. Me ta janë tetë thasë plot marijuanë: me 10 euro për gram, do të sillte më shumë se një milion euro.
Akuzat për ta janë për trafik ndërkombëtar të drogës, për Meçon edhe posedim droge me qëllim shpërndarjen: në shtëpinë e tij ai mbante 280 gramë kokainë dhe kishte gjithçka që duhej për ta shpërndarë. Të gjithë përveç Gjokës që ka precedentë specifikë janë të padënuar. Të pesë të arrestuarit janë të gjithë në burg, dhe mes të enjtes dhe të premtes do të ketë një seancë dëgjimore për vlerësimin e masës.
“Janë grosistë”, konfirmon drejtuesi i skuadrës së lëvizshme, Andrea Cruçianelli, “dhe kemi motive të mendojmë që një pjesë e ngarkesës ishte e destinuar për Ferraran dhe zonën Gad, por po punojmë ende”.
Hetuesit- janë duke kryer hetime edhe për kapanonin, që ishte bosh dhe i braktisur.