Në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kontrabandimit të emigrantëve që hyjnë ilegalisht në vendin tonë, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Trafikut Interurban dhe Urban, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, si dhe të porosive të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për kontrollin e imtësishëm të automjeteve të mbyllura që mund të transportojnë emigrantë, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Vukpalaj”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B. 21 vjeç banues në Krujë, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ky shtetas po udhetonte me automjetin tip Kamionçinë në aksin rrugor Shkodër-Hani Hotit, dhe në vendin e quajtur “Vukpalaj”, është ndaluar nga shërbimet e Policisë pjesëmarrëse në operacion. Drejtuesi i mjetit, për t’i shpëtuar kontrollit në brendësi të kamionçinës, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore duke iu ofruar një shumë parash.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në automjet dhe në brendësi të tij kanë gjetur 30 shtetas të huaj nga vendet e treta (Bangladeshi), të cilët ky shtetas po i transportonte në drejtim të kufirit të gjelbër, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, në drejtim të Malit të Zi.