Kanë dalë pamjet nga rrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe. Ata janë futur me forcë në makinat që forcat serbe po përdornin, me duar të lidhura.
Ata dyshohet se janë rrëmbyer gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Ky fshat gjendet në komunën e Leposaviçit.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, njësia e policisë ka qenë duke kryer një patrullë “thellë brenda territorit të Kosovës” për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale” për kalim ilegal dhe kontrabandë.
Policia tha se ky njësit, i përbërë prej tre zyrtarëve kufitarë, kanë njoftuar se kanë vërejtur persona të maskuar dhe të armatosur dhe nga kërkuar asistencë dhe drejt tyre janë nisur njësi të tjera të policisë.
“Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.
Media serbe Novosti ka publikuar emrat dhe fotografitë e policëve të arrestuar. Bëhet fjalë për policët Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi.