Sigurisht, për shumë arsye vëmendja ishte përqendruar tek Luiz Ejlli, fitues i Big Brother Vip Albania 2. Në fakt, diçka më domethënëse, që flet më shumë për Shkodrën, muzikën, artin, talentet e pashtershme në vite. Mbi të gjitha, për një event, Festivalin Mabrëkombëtar të Këngës për Fëmijë.
Janë tre këngëtarë të njohur, tre breza të ndryshëm, produkt i një eventi që ka tejkaluar të gjitha hapësirat ku jetojnë e punojnë shqiptarët.
Frederik Ndoci, Luiz Ejlli por edhe Irian Taraboshi, tashmë e mirënjohur edhe për këngën e sapo prezantuar “Si ke ndje”, janë tre emra që bashkohen në hapat e tyre artistikë nga pjesëmarrja në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë të Shkodrës.
Kjo është forca artistike dhe jo vetëm e Shkodrës, fidanishtes së pashtershme të talenteve, e punës së palodhur të brezave të mësuesve dhe edukatorëve, krenaria e natyrshme e çdo shkodrani, kudo ku jeton.