Demiraldo Heta është punonjësi i policisë i cili u arrestua rastësisht gjatë operacionit nga Komisariati numër 2 i Policisë në kryeqytet, të cilët ishin nisur për të kapur një person të shpallur në kërkim. Heta u gjet në banesën e shtetasit në kërkim Arbër Balliu, 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili në vitin 2019, dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasin E. K.
Balliu ishte shpallur në kërkim në vitin 2019, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tirane, pasi Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ndërsa një person i tretë që u arrestua u kap nga oficerët e Komisariatit numër 2 në banesën e dytë që posedonte Arbër Balliu. Në pranga përfundoi edhe Igli Pojana, që u kap në flagrancë duke paketuar lëndë narkotike.
“Gjithashtu, gjatë operacionit, bazuar në informacionet se shtetasi në kërkim Arbër Balliu posedonte edhe një banesë tjetër, është ushtruar kontroll në ambientet e saj, ku është konstatuar një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 2.3 kilogramë.
Në momentin e kontrollit në banesën tjetër që dispononte personi në kërkim është gjetur duke paketuar lëndë narkotike shtetasi Igli Pojana, 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, tha policia.