Trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, ka pranuar se është nervozuar disi në ndeshjen e sotme ndaj Erzenit, ku shkodranët u mposhtën pas 10 ndeshjesh radhazi pa humbje. Tekniku i kuqebluve, theksoi se në disfatën 2-1 në Kupë ndaj Erzenit, kishte parë te ekipi i tij disa aspekte të lojës që nuk i pëlqenin.
“Isha pak më nervoz se ndeshje të tjera, për shkak të disa gabimeve që nuk duhet t’i ndodhin një ekipi serioz. Ndoshta kjo ishte arsyeja pse isha më nervoz se herët e tjera. Sa i përket lojës, qarkullimin e kishim të mirë gjatë 90 minutave, por na mungonte finalizimi i aksionit, nuk kishim ide për të shënuar golin.
Çdo rezultat negativ, qoftë edhe i Kupës, ndonëse ka edhe një tjetër ndeshje, nuk është i mirë. Edhe gjatë javës, por edhe para, kam dashur që në çdo lojë, pa marrë parasysh në është Kupë apo kampionat, që qasja të jetë e njëjte dhe ne të shkojmë në çdo ndeshje për të fituar.
Ishim disa momente kur humbin topin e mund ta rikuperonim, ishim shumë statikë në ato momente dhe kjo është arsyeja pse reagova disa herë. Nuk duhet të ndodhë jo vetëm kjo, por edhe të tjera. Luanim shumë ngadalë, ndërrimi i peshës së lojës ishte shumë i ngadaltë, organizimi që mbulon para mbrojtjes mbyllte shumë ngadalë hapësirat. Në rregull është të qarkullojmë topin, por shumë e ngadaltë është, ndonjëherë edhe ndonjë prekje e tepërt është problem.
Mendoj se sa i përket angazhimit dhe vendosjes taktike që kërkuam, në atë drejtim jam i kënaqur. Por bëmë disa gabime tekniko taktike që nuk duhet të na ndodhin sepse prapë se prapë është Kupë, është garë për trofe. Nuk është qasja e duhur, vetëm në momente na ka munguar. Ndoshta përgjigja më e mirë është që më shqetësojnë të dyja.
Ndoshta fati ynë është se nuk kemi pasur shumë ndeshje në Kupë, kjo është e dyta. Ndeshja tjetër është të hënën, ndaj ndoshta edhe nuk kisha nevojë për ndonjë rotacion. Në futboll pas këtyre rezultateve, vazhdon edhe ndoshta nuk merr guximin skuadra siç ka pasur këto kohë.
Iago? Mendoj se është lojtar i mirë, që do na ndihmojë. Unë atë e nxora jo për shkak të lojës, por për shkak të ndërrimit të sistemit”, tha Osmani për “MCN” pas sfidës.