Me 24 qershor të një viti më parë, asokohe drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Sherbimeve të Transportit Rrugor Blendi Gonxhe, i premtoi deputetes së Shkodrës, Edona Bilali, atëbotë ministre shteti për Mbështetjen e Sipërmaarrjes, se Shkodra për pak javë do të kishte një terminal për linjat e autobuzëve.
Ndërsa ka kaluar më shumë se një vit nga ajo bisedë në zyrën e ish- ministres Bilali, kjo e fundit tashmë vetëm deputete e Shkodrës dhe Blendi Gonxhe ministër në qeverinë Rama, nuk shihet asnjë gjurmë nga fillimi i projektit të terminalit në kryeqendrën e Veriut.
Madje, as ideja nuk artikulohet më, teksa është e vështirë të gjendet edhe projekti 3D. Në atë kohë, artikulohej se në Shkodër janë 24 linja ndërqytetase të liçensuara dhe mesatarisht në një vit udhëtojnë rreth 3.4 mln udhëtarë. Ky terminal do të zgjidhte një herë e mirë situatën kaotike të transportit ndërqytetas por do i japte hov edhe transportit urban në qytet.