Uellsi mposhti 2-0 Turqinë për të marrë fitoren e parë në Grupin A. Suksesi vlen shumë, pasi tashmë Uellsi është me një këmbë në fazën tjetër të Euro 2020. Turqia thuajse eliminohet pas dy humbjeve.
Uellsi e nis më mirë ndeshjen, teksa pati një rast me Ramsey. Turqia ekuilibron ndeshjen dhe shtyn përpara, por mungojnë rastet. Uellsianët duken më të rrezikshëm kur zbresin në portën kundërshtare. Për të ardhur në minutën e 42-të, kur Bale jep një asist fantastik nga 50 metra për Ramsey.
Futbollisti i Juventusit ka ulur bukur topin dhe ka shënuar pa probleme, duke festuar më pas dhe ndezur stadiumin. Kaq për pjesën e parë.
Trajneri turk fut dy forca të freskëta sa nis pjesa e dytë dhe janë minuta që flasin për fanellat e kuqe. Calhanoglu, Ynder dhe Jillmaz tentojë të shënojnë, por nuk ia dalin dot. Uellsi më shumë mbrohet, por në një nga zbritjet e pakta, përfiton penallti. E merr përsipër Gareth Bale, por kapiteni e çon mbi tra, duke lënë ndeshjen të hapur deri në fund.
Uellsi pati edhe dy mundësi të tjera, por nuk e vrau dot sfidën më herët se në minutën e 95-të kur shënoi me Robertson. Në fund vlejnë pikët dhe Uellsi i mori të tria dhe me 4 pikë është thuajse në fazën tjetër të Europianit.