Kombëtarja shqiptare e futbollit u mposht 1-2 në Tiranë nga Ukraina dhe në sezonin e ri të Nations League do luajë në Ligën C, duke e mbyllur Grupin B1 me shtatë pikë në vendin e fundit.
Një pjesë e parë shumë e dobët ku kuqezinjtë u ndëshkuan dy herë nga Ukraina në minutën e 5- të dhe të 10- të. Përveç golave, miqtë dominuan në lojë, raste dhe zotërimin e topit.
Pjesa e dytë nisi me një tjetër pamje me kuqezinjtë në kërkim të golit, duke dominuar thuajse gjatë gjithë 45- minutave ne lojë, mbajtjen e topit por konfuz në krijimin e rasteve për gol.
Goli i vetëm për Shqipërinë do të vinte në minutën e 74- ët pas një penalltie të fituar nga Uzuni dhe të kthyer në gol nga Bajrami. 5 minutat e shtesës të akorduara nga arbitri, krijuan raste për miqtë, të cilët iu afruan edhe golit të tretë por portën e shpëtoi gardiani Strakosha.
Me këtë humbja Shqipëria renditet e fundit në grupin e saj B1, duke rënë automatikisht një ligë më poshtë, në atë C. Me gjasë, këtu merr fund në Kombëtare edhe era “Silvinjo”, teksa duhet të bëhemi gati për eliminatoret e botërorit të ardhshëm.