Zef Gjoni mund të mos jetë më trajneri i Vllaznisë së boksit. Këtë e ka pohuar vetë timonieri i kuqebluve të ringut, i cili ka sjellë në Shkodër plot 23 tituj nga rifillimi i këtij sporti në Shqipëri. Duke folur për gazetarët, Gjoni ka thënë se do të jetë trajner i një ekipi në qarkun e Shkodrës, teksa ka shtuar se do të marrë me vete dy boksierë: Kajoshin dhe Hysën.
Gjoni është shprehur i pakënaqur nga trajtimi që i bëhet boksit në Shkodër, teksa ka nënvizuar se rroga e tij tek ekipi i ri ku pritet të kalojë, do të jetë sa 5- fishi i asaj që ka aktualisht tek Vllaznia. Gjoni e ka quajtur boksin si të persekutuar në Shkodër.
Po ashtu, trajneri Gjoni ka folur edhe për agjendën e Kombëtares së boksit, teksa ka nënvizuar se vetëm në Shqipëri nuk lejohet kampionati i këtij sporti, ndërsa në vendet e tjera po. Edhe më herët Gjoni kishte paralajmëruar largimin nga Vllaznia. Tanimë pritet të shihet nëse ai vertetë do të largohet nga kuqeblutë të cilët i ngjiti në majën e boksit shqiptar.