“Universiteti i Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’ nuk është celulë e Partisë Socialiste”, kështu është shprehur sot rektorja e këtij institucioni të arsimit të lartë gjatë një konference për shtyp, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në zyrën e saj. Ajo ka shtuar se gjatë fushatës për zgjedhjen e saj, ka patur mbështetjen edhe të kolegëve demokratë, të cilët i kanë besuar programit dhe aftësive të saj për të drejtuar universitetin.
Rektorja Golemi ka folur për rifillimin e vitit akademik, duke thënë se do të vijohet me format e mësimit si deri më tani. Ajo ka shtuar se 75- 80% e studentëve ndjekin mësimin online, teksa ka shtuar se nëse situata nuk ndryshon për mirë, edhe provimet mund të realizohen online.
“Universiteti i Shkodrës ka qenë i përgatitur për mësimin online, ndërsa pranë çdo fakulteti është është atashuar një IT për të patur më të lehtë administrimin e procesit”, ka vijuar rektorja e “Luigj Gurakuqit”.
Golemi ka folur edhe për tarifat e studeëntëve për vitin shkollor, ku në bashkëpunim me Ministrinë e linjës, mund të shihet mundësia e reduktimit të tyre për shkak të pandemisë, por vetëm për nivelin e diplomës “Master”. Ndërsa për tarifat e tjera “bachelor”, rektorja i ka quajtur të pranueshme, në nivelin 20 mijë lekë për një vit akademik. /ShkodraWeb Media/