Prej disa ditësh ka nisur puna për rikonstruksionin e urët mbi lumin Kir, në pjesën e hyrjes nga drejtimi i Varrezave të Dëshmorëve. Është një vepër arti mjat e rëndësishme, e cila përveç se në nivel lokal, përdoret edhe si alternativë udhëtimi drejt Tiranës, sidomos kur ka trafik nga rruga e Bushatit.
Pamjet e siguruara nga ShkodraWeb tregojnë gjendjen e saj. Po punohet për forcimin e bazamentit të saj, tek pjesa e këmbëve mbështetëse. Këmbët, siç shihet edhe nga video, po forcohen me beton- arme, duke bërë lidhjen e këmbëve ekzistuese me një strukturë të re. Dhe të imagjinosh që vazhdojnë të kalojnë mbi të edhe mjete të tonazhit të rëndë, edhe nga disa pika inertesh apo gurore fare pranë saj.
Disa herë problemet me urat në vendin tonë, kanë qenë në qendër të vemendjes. Pjesa dërrmuese e tyre, të ndërtuara para vitit 1990, nuk kanë qenë subjekt i rikonstruksioneve të mundshme, duke sjellë amortizim të tejskajshëm.
Mbase është momenti të kalohen në verifikim të gjitha veprat e artit në Shkodër e më gjërë. Mbase ka ardhur koha të rishikohet edhe Ura e Bahçallëkut, në hyrjen e qytetit të Shkodër. Sigurisht që ka nevojë për mirëmbajtje por mbi të gjitha, ka nevojë të zgjerohet, të paktën me katër kalime, nga dy në secilin drejtim. /ShkodraWeb/