Është mbyllur me rezultatin 1-1 ndeshja e raundit të 21-të të Abissnet Superiore mes skuadrës së Partizanit dhe Vllaznisë, që u zhvillua në “Air Albania”.
Ishin shkodranët ata që patën një start të mirë të kësaj sfide, duke dominuar dhe shënuar në minutën e 11 më Liridon Latifin. Megjithatë forma e mirë e Vllaznisë do të zgjaste deri në minutën e 25’, ku takimi mori tjetër drejtim.
“Të kuqtë” morën kontrollin e lojës dhe tentuan disa herë të shënonin në portën e Zogovic, por pa sukses. Ndërsa në minutën 45+3’, Esin Hakaj do të dilte jashtë fushës me karton të kuq, pas një ndërhyrje të gabuar ndaj Albion Markut.
Në pjesën e dytë shkodranët do të luanin me një lojtar më pak, me Partizanin që vijoi dominimin total të ndeshjes dhe që ia doli të shënonte golin e barazimit në minutën e 64’ me Tedi Carën.
Cara tregoi një formë të mirë, por humbi një super rast në minutën e 90+2’, që mund t’i kishte dhuruar tre pikët e kësaj jave kryeqytetasve.
Pas kësaj ndeshje Partizani shkon në kuotën e 29 pikëve, por qëndron në vend të pestë, ndërsa Vllaznia vijon të renditet e katërta me 34 pikë.
Partizani-Vllaznia (1-1)
Cara/ Latifi