Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju informon për situatën epidemiologjike në vend në 24 orët e fundit. Vazhdon puna në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, për të testuar të gjitha monstrat që kanë ardhur nga gjithë vendi për të dyshuar të prekur me Covid19.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 57 raste pozitive.
Kruja ka numrin më të lartë të rasteve ditore, me 16 të prekur që lidhen me aktivitete biznesi dhe kontakte të tyre, e ndjekur nga Tirana me 14 raste, 9 në Vlorë, 8 në Shkodër, 6 në Lushnje, 2 në Pukë, 1 në Durrës, 1 në Fier.
Ndërkohë që janë në hetim shumë raste të reja në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Krujë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 5 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1044. Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 47 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 441 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.
Nisur nga fakti se po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje, subjekte tregtare apo institucione të ndryshme publike dhe private, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon bizneset, institucionet, kompanitë, kudo ku është e mundur puna nga shtëpia, të nxisin këtë mënyrë alternative për të frenuar përhapjen e Covid19.
Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar, qoftë edhe pa shenja, duhet të izolohet dhe se thyerja e karantinës është e dënueshme pasi rrezikon shëndetin e qytetarëve. Me organet e rendit po intensifikohet puna për të garantuar respektimin e karantinës së detyrueshme për përsonat e prekur nga Covid19.
Një kujtesë edhe për subjektet tregtare të shërbimit: maska apo barrierat mbrojtëse janë të detyrueshme dhe çdo shkelje do të dënohet sipas ligjt në fuqi.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon edhe njëherë ndërgjegjësim nga vetë bizneset dhe qytetarët të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të distancimit fizik dhe higjienës personale.
Inspektoret e task-forcës anti-covid do të ndëshkojnë çdo subjekt që thyen rregullat e vendosura.
Edhe një herë ju drejtohemi qytetarëve: Jemi ende në luftë me një armik të padukshëm dhe këtë luftë mund ta fitojmë të gjithë së bashku duke zbatuar disa rregulla të thjeshta, qëndroni në distancë fizike, lani duart, përdorni maska në ambjente të mbyllura.
Lidhuni me mjekun tuaj të familjes nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40, për informacion rreth Covid19. Nëse keni shenja të sëmundjes, qëndroni të izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare, 127.
COVID-19 – Statistika (14 Qershor 2020)
Testime totale 20494
Raste pozitive 1521
Raste të shëruara 1044
Raste Aktive 441
Humbje jete 36 (Qarku Tiranë 21, Durrës 7, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 230
Krujë 55
Shkodër 53
Kamëz 26
Durrës 20
Vlorë 15
Lushnje 12
Pukë 11
Elbasan 4
Fier 4
Lezhë 3
Tropojë 2
Korçë 1
Librazhd 1
Mallakastër 1
Berat 1
Ura Vajgurore 1
Gjirokastër 1