Bashkia e Shkodrës ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror. Për shkak të resurseve të shumta natyrore, pozitës gjeografike dhe klimës, Shkodra është atraksion turistik gjatë gjithë vitit por tashmë është traditë hapja e sezonit turistik në Velipojë.
Plazhi me ujin e pastër dhe rërën kurative, me pastërtinë dhe mikpritjen e banorëve, e ka kthyer prej vitesh Velipojën plazhin më të preferuar e frekuentuar jo vetëm të shkodranëve por edhe të viseve të tjera ku jetojnë shqiptarët.
Çelja zyrtare e sezonit u parapri nga një përgatitje intensive nga Bashkia e Shkodrës, me synim krijimin e kushteve optimale për pushuesit, të cilët në fakt, frekuentojnë Velipojën gjatë gjithë vitit. Turizmi është një nga prioritetet e kryebashkiakut Bardh Spahia, i cili e sheh atë si mundësi për fuqizimin ekonomik të familjeve shkodrane por edhe për punësimin kryesisht të rinjve në këtë sektor.
Në ditën e çeljes zyrtare të sezonit veror në Velipojë, theksi është vënë në organizimin e aktiviteteve sportive- argëtuese për të gjitha moshat por edhe llojet e sportit që mundëson plazhi. Natyrisht, nuk ka munguar as muzika që ka shoqëruar të gjitha aktivitetet por edhe koncertet e organizuara në qendër të Velipojës.
Si radhë bashki tjetër në vend, Shkodra ofron në pak kilometra katrorë turizmin detar, liqenor, lumor, malor, atë kulturor elitar me muzetë por edhe sitet arkeologjike. Velipoja, Thethi, Shiroka, Zogaj, Lumi i Shalës janë vetëm disa nga atraksionet që tashmë janë kthyer në pika referimi për turizmin në Shqipëri.