Kanë qenë “arma” më e fortë e Vllaznisë në ndeshjen e sotme ndaj Shiroki Brijeg për Conference League. Nga minuta e parë deri në mbyllje të takimit, nuk kanë reshtur një minutë duke duartrokitur dhe brohoritur për kuqeblutë. E në fund, pasi mrekullia e kualifikimit u arrit, skuadra dhe stafi kanë gëzuar e festuar me tifozët shkodranë në të gjitha tribunat.
Fillimisht i janë drejtuar tribunës përkarshi apo të “njëzetëshe” siç njihet ndryshe. Aty gjatë ndeshjes ishte entuziazmi më i madh. Në fakt, edhe shashkat e fishekzjarret nga ajo tribunë u hodhën, duke sjellë dy herë ndërprerjen e ndeshjes. Por këto indicente, të cilat nuk u përsëritën pas thirrjeve me qendër zëri, nuk e zbehën aspak mbështetjen e e kësaj tribune.
Më pas ishte radha e tribunës “harkore”, ku edhe aty kishte mjaft entuziazëm. Në fund, tek tribuna qendrore, ku brohorimat kanë qenë të vazhdueshme si radhë herë. Ishte prologu i një mbëmje magjike, e cila riktheu Vllazninë që na mungonte prej 10 vitesh në Kupat e Europës, madje duke siguruar edhe kualifikimin. Më pas, festa ka vijuar në rrugët e qytetit. /ShkodraWeb/