Trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, është shfaqur sot para mediave në konferencë për shtyp, duke bërë analizën e ndeshjes së radhës të skuadrës së tij që ndeshet nesër me Teutën.
“Pas dy barazimeve, vjen ekipi i Teutës, ekip i cili në rezultatet e fundit ka treguar se është në formën e mirë. Megjithatë, ne kemi llogaritë tona, dihet që Vllaznia duhet të fitojë këtë ndeshje për ecurinë e kampionatit së pari, por edhe për vendet e para që synon. Përveç mungesës për karton të Salës, të gjithë lojtarët e tjerë janë në dispozicion.
Stërvitja? Theksi ka qenë te realizimi, gjatë gjithë javës kemi punuar këtë element.
Unë personalisht kam respekt të madh për Martinin edhe pse nuk jemi takuar shumë. Kam respekt për atë si person dhe sigurisht respekti është jashtë fushës. Por sigurisht Edi e unë dëshirojmë që ekipet tona të luajnë sa më mirë, të fitojnë sa më shumë. Ndaj jemi të përgatitur që na pret një lojë e rëndë, e vështirë, se e dimë që ekipi i Edit lufton për mbijetesë. Ndoshta në këto momente, më të vështira janë këto ndeshje se kur luan me kreu e renditjes.
Te ndeshja e kontrollit ishin pesë lojtarë të ekipit të parë dhe jam i kënaqur me të gjithë me angazhimet dhe lojën që bënë. Ne kemi një seri rezultatesh të cilat ndoshta në këto momente nuk na lejojnë të bëjmë shumë eksperimente me formacionin për shkak të rezultateve që patëm. Por përforcimet mendoj se ka ende vend për përmirësim, ndoshta edhe fizikisht nuk janë gati, por shpresojmë që shumë shpejt të vijnë edhe ata në ekip. E pashë edhe në ndeshje që u mungon loja, se gjithë kohën disa elementë që gabuan, është munegsë e lojës. Kjo është mungesë që ato në lojërat e zakonshme nuk duhet bërë. Por pauza e gjatë bën të vetëm, Ajdareviç ka një muaj e gjysmë apo dy që nuk ka luajtur.
Mosaktivizimi i Gomez? Një nga arsyet është se shënon Balaj. E dyta është se në ndeshjen e fundit, për shkak të dëmtimeve të Alivodës e Stojanoviç, ishim të detyruar të bënin disa ndërrime, ndoshta në situata të tjera të lojës ishte në plane edhe Bruno të futet në lojë.
Në ndeshjen e fundit na mungoi vetëm realizimi, luajtëm mirë dhe mendoj se nuk ka nevojë për ndonjë ndryshim. Edhe gjatë javës kemi biseduar, e pamë edhe te lojtarët që nuk ka asnëj lloj nënvlerësimi ndaj Teutës. Përkundrazi, kemi shumë respekt për atë ekip.
Sigurisht do të ishte mirë për ne të merrnim 6 pikë në dy ndeshjet në shtëpi dhe objektivi i Vllaznisë është të fitojmë të dy ndeshjet dhe jo se kryhet kampionati apo sigurojmë diçka, por thjesht për qetësi e stabilizim në atë katërshe të parë.
Ky është një kampionat i fortë dhe shumë interesant, sepse ende edhe kjo katërshe nuk dihet, e nuk dihet as puna e mbijetesës. Sigurisht që sipas ngjarjeve që ndodhin në kampionat, mendoj se kështu do të shkojë deri në fund, do të jetë çdo herë. Përveç Egnatias ndoshta që është shkëputur prej të tjerëve, mund të themi se 3 nga 4 të parat nuk kanë siguruar ende asgjë sa i përket renditjes së kampionatit.
Kthimi i tifozëve na ngroh, ndoshta fakti më i mirë është ky, se nuk është njëlloj si kur luan me tribunat bosh dhe të mbushura. Kur çdo herë, në çdo moment e japin atë kurajën e nevojshme në momente të caktuara. Ajo u pa edhe në ndeshjen me Partizanin. Ka momente që ekipit i duhet një përkrahje morale, e ndoshta ,më e mira në këtë periudhë që kemi kaluar është kthimi i publikut”, tha Osmani para gazetareve.