Vllazni e pafat! Kështu mund të përmblidhet paraqitja e kuqebluve në derbin e futbollit shqiptar Tirana- Vllaznia. Shkodranët janë ndëshkuar nga një goditje standarte në minutën e 73- të, me autor Batha. Pjesa e parë përfundoi pa gola, ku kuqeblutë kanë kontrolluar lojën, kanë qenë në zotërim të topit por edhe kanë vizituar më shpesh gjysmëfushën e vendasve.
Nga ana tjetër, Tirana ka qendruar më shumë në pritje, teksa në 45 minutat e para nuk kanë rrezikuar në asnjë rast portën e Vllaznisë. Rastet e pastra për shënim, kanë munguar edhe për miqtë, pavarësisht epërsisë territoriale të krijuar në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, ndeshja u bë më e bukur ndërsa rastet më të pastra për shënim i pati pikërisht Vllaznia me Da Silva, Dilaver, Jonuzi etj. Ndoshta në momentin më të mirë të Vllaznisë, vjen edhe goli i vendasve me autor Batha. Një goditje standarte nga krahu i majtë i sulmit të Tiranës, afër zonës së rreptësisë dhe portieri Zogoviç i Vllaznisë sheh topin ti parakalojë para syve dhe të ndalet në rrjetë.
Kjo ndeshje u ndërpre në minutën e 80- të për rreth 16 minuta, duke pritur që ambulanca të ishte e pranishme në stadium, duke sjellë probleme në gjendjen fizike të lojtarëve. E gjithë ndeshja përfundoi me fitoren e Tiranës me rezultat minimal. Me këtë humbje, por edhe pas fitores së Teutës me Kukësin e barazimit të Partizanit me Laçin, Vllaznia zbret në vendin e tretë në Superligë, 2 pikë larg Teutës kryesuese e 1 pikë larg Partizanit të vendit të dytë.