Vllaznia e vajzave duket se do të vijojë ecurinë pozitive të viteve të fundit në Champions League. Vajzat e udhëhequr nga Haris Lika, kanë kaluar “pengesën” e parë në rrugëtimin e tyre europian.
Vajzat kuqeblu kanë mundur Hajvalinë, ekipin kampion të Kosovës, në një ndeshje që Vllaznia e kontrolloi dhe duket se nuk donte të humbiste shumë energji për ti ruajtur për finalen e grupit të 7- të të Ligës së Kampioneve për femra.
Goli i parë ka ardhur nga Berisha për Vllazninë në minutën e 16- të, teksa dukej se shkodranet do të kishin të lehtë të mundnin vajzat nga Kosova.
Megjithatë, nuk ishte aq e thjeshtë. Nuk ka vonuar dhe mysafiret, kanë gjetur golin e barazimit në minutën e 34- ët me Misinin.
Për të rikthyer avantazhin e Vllaznisë në fushën e blertë, ka menduar Gjini, e cila ka realizuar në minutën e 44- ët golin, i cili shënoi edhe fundin e pjesës së parë.
Pjesa e dytë, shihej si një “shëtitje” e Vllaznisë, sidomos pas një supergoli të Bashka në minutën e 61- të, me një parabol të bukur që zuri pa përgatitur gardianen e portës së Hajvalisë.
Mahmuti për mysafiret në minutën e 68- të rihapi ndeshjen, duke mbajtur gjallë shpresat e kosovareve për të arritur barazimin. Por nuk ishte e thënë.
Arbitrja akordoi 4 minuta shtesë dhe pikërisht në të parën, Vllaznia gjen edhe golin e katërt, me autore Berisha, duke vulosur kualifikimin e Vllaznisë në finale.
Përballë të shtunën do të ketë ekipin Valur të Islandës që eliminoi sot kampionen e Turqisë Fomget. Mundësitë janë që Vllaznia ta kalojë këtë grup për të shkuar në 1/32 e Champions League për femra.